Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Viti 2023 regjistroi një numër rekord të vdekjeve të punonjësve të organizatave humanitare

schedule20:48 - 19 Gusht, 2024

schedule 20:48 - 19 Gusht, 2024

Organizata e Kombeve të Bashkuara dënoi të hënën nivelin e ‘papranueshëm’ të dhunës që po bëhet e zakonshme kundër punonjësve të organizatave humanitare. Sipas OKB-së, në vitin 2023 u vranë 280 punonjës të tillë, një shifër rekord.

OKB gjithashtu paralajmëroi se lufta Izrael-Hamas në Gazë ka mundësi që të rrisë edhe më shumë këtë shifër.

“Normalizimi i dhunës kundër punonjësve të organizatave humanitare dhe mungesa e llogaridhënies janë të papranueshme, të pandërgjegjshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për operacionet e dërgimit të ndihmave kudo”, tha Joyce Msuya, drejtoreshë në detyrë e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në një deklaratë për Ditën Botërore Humanitare.



“Me 280 vrasje të punonjësve të organizatave humanitare në 33 vende vetëm vitin e kaluar, viti 2023 regjistrohet si viti më vdekjeprurës për këtë komunitet”, një rritje kjo prej 137% nga viti 2022, kur u vranë 118 punonjës të tillë, tha OCHA përmes një njoftimi dërguar mediave.

Të dhënat regjistrohen nga viti 1997 nga Baza e të Dhënave të Sigurisë së Punonjësve të Organizatave Humanitare.

OKB thotë se mbi gjysma e këtyre vrasjeve ndodhën në Gazë gjatë tre muajve të parë të luftës Izrael – Hamas, kryesisht nga sulmet ajrore.

Luftërat civile në Sudanin Jugor dhe Sudan janë dy prej konflikteve më vdekjeprurëse në botë, pas asaj në Lindjen e Mesme.

Në 10 vendet e para në këtë listë janë edhe Siria me shtatë vdekje, Etiopia dhe Ukraina me gjashtë secila dhe më pas vijnë Somalia, Mianmari dhe Republika Demokratike e Kongos.

Në të gjitha konfliktet, shumica e vdekjeve përfshijnë stafin lokal të organizatave humanitare.

Viti 2024 mund të tejkalojë shifrën rekord të regjistruar një vit më parë. Deri më 9 gusht, OCHA njofton se janë regjistruar 176 vdekje të punonjësve të organizatave humanitare.

Çdo vit, Kombet e Bashkuara e shënojnë Ditën Ndërkombëtare Humanitare më 19 gusht, përvjetorin e sulmit në zyrat e OKB-së në Bagdad, në vitin 2023.

Gjatë atij sulmi u vranë 22 njerëz duke përfshirë Sergio Vieria de Mellon, Përfaqësuesin Special të OKB-së në Irak. Gjatë sulmit u plagosën edhe 150 punonjës lokalë dhe ndërkombëtarë të organizatave humanitare./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!