Në seancën plenare të së enjtes në Kuvend, ministrat e qeverisë Rama kanë vijuar të përmendin se pavarësisht krizës që ka prekur botën si pasojë e luftës në Ukrainë, ekonomia shqiptare nuk ka pasur luhatje. Përkundrazi, sipas ministrave, kemi rritje.
Po ashtu, sipas ministres Frida Krifca ky ka qenë një vit i mirë edhe për fermerët e blegtorët, pasi “bujqësia dhe blegtoria kanë pësuar rritje.”
Ministrja bëri të ditur se prodhimi i grurit ka qenë i mbarë, e misrit po ashtu, dhe shifrat janë në rritje tani që po bëhet edhe korrja.
“Prodhimi bujqësor në vend ka vijuar të rritet… Prodhimi i grurit ka qenë i mbarë. Sipërfaqja e mbjellë me misër është më e lartë nga vitet e shkuara. Vijon korrja e grurit, po ndjekim nga afër dinamikën e funksionimit të tregut….Pavarësisht krizave, bujqësia shqiptare vijon të tregojnë qëndrueshmëri të lartë kemi konsolidim të mëtejeshëm të fermave.”
Ndërsa citonte shifrat e INSTAT, Krifca tha se rritje ka pësuar prodhimi i perimeve, bimëve mjekësore dhe aromatike, rritje kanë pësuar eksportet etj. Dhe, trendi sipas saj do të vijojë të jetë në rritje.
Të gjitha këto, sipas ministres kanë ardhur si rrjedhojë e politikave të ndjekura nga qeveria.
“Vit i mirë për fermerët dhe në prodhim dhe në çmim. Nuk ka ndodhur vetëvetiu po rrjedhojë investimeve strategjike të ndërmarra nga qeveria gjatë viteve të fundit. Blegtoria mbulon mbi 97 për qind të nevojave të vendit për qumësht e nënproduktet. Është rritur numri i fermave të mesme e të mëdha.” /abcnews.al/