Virxhinia: Punëtorët gjejnë poshtë statujës kutinë që ishte groposur 130 vjet më parë

schedule03:02 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 03:02 - 29 Dhjetor, 2021

Një ekip studiuesish në shtetin amerikan të Virxhinias kanë hapur një kuti që kishte në brendësi relikte të luftës së Konfederatës që besohet të jenë groposur më shumë se 130 vjet më parë. Në kuti u gjetën gazeta, libra dhe municione të Luftës Civile që ka ndodhur në SHBA. Punëtorët zbuluan kutinë ndërsa po hiqnin statujën e gjeneralit Robert E Lee raporton “BBC”.

Memoriali u hoq pas protestave për vrasjen e George Floyd në Mineapolis vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga biblioteka e Virxhinias kutia u vendos poshtë bustit në vitin 1877 dhe se dhjetëra banorë në atë kohë dhuruan rreth 60 objekte. Drejtuesja e Departamentit të Burimeve Historike të Virxhinias tha se përmbajtja dhe dizajni i kutisë dukej se përputheshin me të dhënat historike.

Ajo shtoi se i gjetën objektet në një gjendje më të mirë sesa pritej. Kutia përmbante një flamur të Konfederatës, plumba të përdorur në Luftën Civile dhe një hartë e qytetit të Riçmondit. Studiuesit gjetën gjithashtu një imazh të printuar të një personi që qëndronte i pikëlluar në varrin e presidentit Lincoln që i përkiste botimit të vitit 1865 të gazetës Harper’s Weekly.

Kutia u gjet në fillim të këtij muaji dhe ishte vendosur nga njerëzit që morën pjesë në ndërtimin e statujës. Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam urdhëroi që statuja të hiqej në shtator për shkak të protestave që pushtuan SHBA-në pas vrasjes së George Floyd. Gjenerali Lee është një figurë e diskutueshme në SHBA. Ndërsa disa mendojnë që statujat e tij janë simbole të krenarisë jugore, shumë të tjerë mendojnë që ato simbolizojnë racizmin në Amerikë. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!