Violinistja shqiptare Suela Piciri mban koncert në Tiranë me miqtë e La Scala

schedule17:24 - 6 Dhjetor, 2022

schedule 17:24 - 6 Dhjetor, 2022

Rikthehet, aty ku e nisi, violinistja shqiptare e La Scala, Suela Piciri. Salla e Liceut Artistik, Tonin Harapi, i zgjon nostalgji, e aq më tepër ku në sallë ndodhet edhe pedagogia e saj e parë.  Piciri ndihet e lumtur që realizoi ëndrrën për të interpretuar në Tiranë me miqtë e quartetit të La Scala Estela Sheshin, Alfredo Zamarra dhe Martina Lopez.

Repertori i përzgjedhur është një shtegtim mes klasikëve Haydon, Beethoven përthyer me kompozitorin Italian Nino Rota, i cili është risi edhe në Itali thekson artistja. Prej më shumë se 20 vitesh në duar mban një violinë franceze, “Berton” (1830). Ky instrument është i shenjtë për të, pasi e ka shoqëruar në udhëtimet artistike të ëmbla edhe të trishta.

Pas koncertit të Tiranës, Suela Picirin dhe miqtë muzikantë, që interpretojnë shpesh së bashku si formacion i muzikës së dhomës së Teatrit La Scala i pret një kalendar i ngjeshur artistik për festat e fundvitit. /abcnews.al