TIRANË- Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban në konferencën e përbashkët për media në Tiranë vlerësoi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, ndërsa tha se lidhja mes popujve i ka rrënjët thellë në histori.
“Vend shumë interesant. Kam ardhur me shumë dëshirë në Shqipëri. Kam qenë të paktën 12 herë nëse nuk gaboj. Sa i përket shqiptarëve dhe hungarezëve nuk ekzistojnë vetëm marrëdhënie diplomatike. Por ka lidhje shumë të thella dhe i ka rrënjët thellë në histori”, tha kryeministri hungarez.
Gjatë konferencës krah homologut shqiptar Edi Rama, Orban u ndal tek procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se BE-ja po ecën shumë avash në procesin e zgjerimit dhe këtë e cilësoi si “akt të turpshëm”.
“Vizita e sotme është në një periudhë shumë të rëndë, pasi kemi të bëjmë me një ristabilizim dhe një rindarje ekonomike që po ndikon në Evropën e sotme dhe këto janë pikat e dobëta të ekonomisë së Evropës së sotme. Sa i përket pjesës globale, konkurrenca e Evropës është në rënie e sipër, dhe çështja është se si mund ta konsiderojmë Ballkanit Perëndimor dhe sidomos anëtarësimin e tyre në Evropë. Është një problem apo një mundësi? Shqipëria ka kapacitet në rritje, dhe nëse Evropa nuk do të ngelet pas në këtë zhvillim global, rezervat e rritjes janë në Ballkan dhe nuk gjenden në vendet e tjera të Evropës. Ne kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet. Është e turpshme se sa avash po ecën procesi i zgjerimit të BE. Shqipëria ka duruar 13 vjet për të arritur deri në fillimin e negociatave për anëtarësim, nëse BE shkon me këtë ritëm, mund të them se është ritëm vetëvrasës, për këtë arsye Hungaria mbështet Shqipërinë, integrimin e Ballkanit Perëndimor jo vetëm për arsye të miqësisë së dy vendeve tona, por edhe të strategjisë ekonomike dhe politike”, tha ai./ n.m.abcnews.al