Ajri në Harunas është i rëndë, i mbushur me tym e hi që era e fortë përhap në çdo drejtim.
Tymi dhe flakët që përpin çdo gjë përpara, përzihet me të bërtiturat e banorëve që nxitojnë të largohen, duke marrë me vete çfarë munden, një thes me rroba, disa orendi e shpeshherë vetëm bagëtinë që kanë arritur të shpëtojnë.
Në rrugët e ngushta të fshatit shihen forcat zjarrfikëse e banorët, që të gjithë në një betejë të përbashkët me kohën dhe erën, ndërsa qielli i kuqërremtë i pasdites e bën gjithçka të duket si një skenë lufte.
Në çdo anë ndihet ankthi se flakët mund të kthehen brenda pak minutash, duke mos lënë asgjë pas.
Banorët e Harunasit me lot në sy e disa me tonë të larta shprehin shqetësimin e tyre për këtë situatë.
Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, pa situatën nga afër ndërsa tha se në zonë ka rrezik të shtuar për përhapjen e flakëve.
Të lodhur e të tronditur, banorët e evakuuar nuk e dinë nëse do ta gjejnë më shtëpinë ashtu siç e lanë.
Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që largohen nga fshati me emergjence. Makinat e emergjencave civile janë vënë në dispozicion për t’i transportuar drejt qytetit të Gramshit, ku pritet të akomodohen në ambiente publike dhe strehë të përkohshme, derisa situata të vihet nën kontroll.
Vetëm 5 kilometra nga këtu ku jemi, u shkaktua dhe viktima e parë e stinës së zjarreve. Por më shumë sesa viktimë e zjarreve, i moshuari nga fshati Kullollas vdiq si pasojë e pakujdesisë, pas ndezjes së zjarrit.
Moti i nxehtë dhe papërgjegjshmëria me ose pa dashje e qytetarëve në ndezjen e zjarreve, kanë detyruar autoritetet të bëjnë aksione të rrezikshme shpëtimi, ndërsa edhe presidenti i Republikës bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë, në mënyrë që të shmangen viktima të tjera në njerëz.
/abcnews.al/

