Shënohet viktima e parë nga zjarret në vend. Një 80 vjeçar ka humbur jetën në fshatin Kullollas të Gramshit. Sipas uniformave blu, rreth orës 11.00, i moshuari ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, zjarri më pas ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, 80 vjeçari ka humbur jetën.
Nisur nga situata e rënduar e përhapjes së flakëve, autoritetet kanë dhënë urdhër që evakuohen banorët, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona. Sipas të dhënave, katër fshatra, Kullollas, Bletëz, Menkollarë dhe Shimër janë djegur.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt, pasi situata nga flakët është e rënduar.
Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Aksionit nga toka i është bashkuar edhe edhe ai me nga ajri, me hedhje uji për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Ndërkohë, pasi mori përmasa alarmante, zjarri në zonën turistike të Syrit të Kaltër është neutralizuar. Mirëpo, situata gjatë së martës është shqetësuese, pasi flakët kaluan në fshatin Pecë.
Shërbimet zjarrfikëse të Finiqit, Delvinës dhe Sarandës, së bashku me banorët e zonës, po punojnë ndërprerje për të mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarrit. Terreni i thyer dhe malor ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndërsa era e fortë ndikoi në përhapjen e shpejtë të flakëve, të cilat arritën deri në rrugën nacionale.
Për të garantuar sigurinë e banorëve, autoritetet kanë evakuar banorët e fshatit Pecë. Ministria e Mbrojtjes raporton se për shkak të vatrave aktive, situata në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë problematike, ndërsa në terren po operohet me kapacitete të shtuara, 8 mjete zjarrfikëse, dhe rreth 90 forca operacionale, mbështerur nga helikopteri i Forcës Ajrore shqiptare, 2 avionë grek, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, nga veriu në jug janë evidentuar 50 vatra, nga të cilat 19 janë ende aktive.
Situatë e vështirë paraqitet në Poliçan. Në fshatin Plirëz dhe Rehovë janë evakuar banorë, ndërsa vijon aksioni nga toka dhe me një helikopterë nga ajri.
Flakët nuk janë vënën ende nën kontroll në Rrogozinë dhe Kavajë. Po punohet në fshatrat Stërbeg dhe Spanesh.
Dhejtarë vatra aktive zjarri raportohen edhe në territorin e bashkisë së Tiranës. Konkretisht në malin e Bërzhitës, fshati Ibë. Gjithashtu zjarre ka edhe në njësinë Administrative të Vaqarrit. Në zall herr rrezikohen banesa, forcave në terren i është bashkuar me ndihmë nga ajri helikopterë Blackhaëk të Emirateve të Bshkuara Arabe.
Zjarri i rënë në një terren të thyer në fshatin Xath të Fushë Arrëzit nuk mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Zjarri ka marrë përmasa, ndërsa po punojnë për të neutralizuar flakët 80 forca operacionale vendore dhe 65 ushtarake.
Në Tepelenë, ka vijuar puna për gjatë gjithë natës për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla. Në këtë zonë po operojnë nga ajri edhe dy helikopterët çek dhe sllovak.
Vatra aktive zjarri raportohen gjithashtu edhe në qarqe të tjera të vendit, Kukës, Lezhë, Durrës, Elbasan. Flakët favorizohen nga temperaturat e larta që pritet të arrijnë deri në 41 gradë./abcnews.al

