Vijon vaksinimi, si paraqitet situata e koronavirusit në rrethe

schedule12:20 - 25 Mars, 2021

schedule 12:20 - 25 Mars, 2021

Në ditët e fundit, në Vlorë kemi një rënie të infektimeve. Kështu raporton gazetari i ABC Elton Nika i cili u shpreh po ashtu se problem mbeten vatrat familjare. Çdo ditë, në këtë qark bëhen rreth 60 ose 70 tamponë për të dyshuarit me koronavirus. Zinxhiri i të infektuarve nis tashmë nga mjeku i familjes, pra nuk dalin më epidemiologë në terren.

Ndërsa, sa i përket situatës në spitalin e Vlorës, gazetari ndërsa thekson se nuk kemi të bëjmë ende me një spital Covid, personat që rezultojnë pozitivë trajtohen nga mjeku i familjes, ose në shtëpi.

Rastet më të rënduara dërgohen drejt Tiranës.

Ndërsa, nga Durrësi, gazetari Leonidha Musaj raportoi se mjekët e familjes janë duke referuar më pak tamponë, nga ç’bëheshin me studimin epidemiologjik. Epidemiologët, sipas tij, ngrenë shqetësimin që të ketë një tjetër mënyrë veprimi për të nxjerrë më shumë persona kontakti. Situata në Durrës, sa i përket infektimeve, është prej javësh e stabilizuar.

Orges Sako nga Gjirokastra raporton se Covid-19 është “futur” në bizneset private, ndërsa pozitiv ka rezultuar edhe një person tek thesari i shtetit.

Sipas asaj që raportoi gazetari, rastet e shumta në këtë qark lidhen me mosrespektimin e masave nga vetë qytetaret, apo nga neglizhenca e institucioneve. Gazetari raporton gjithashtu se ka pasur kërkesa nga mësues që e refuzuan fillimisht vaksinën e AstraZeneca, por nuk ka më vaksina për ata që nuk e aplikuan herën e parë.

Ndërsa, Gjergj Figuri raporton se në këtë qark është ndërpre procesi i vaksinimit. Ambientet e caktuara për vaksinimet janë aktualisht të mbyllura. Infermierë që merren me vaksinimin i kanë bërë të ditur gazetarit se prej 1 jave po qëndrojnë në gatishmëri, por nuk ka një datë se kur mund të vijnë vaksina.

Ndërkohë, sa i përket kryeqytetit, gazetarja Ema Shazivari raporton se situata tek Infektivi, shërbim që pret edhe urgjencat e Tiranës, është e qetë. Shtrimet spitalore janë ulur, por shqetësues mbetet numri i fataliteteve. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!