Vijojnë përpjekjet diplomatike për të përmbyllur detajet e fundit për samitin e shumëpritur mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Sekretari i Shtetit është takuar me të besuarin e Kim në Nju Jork. Ndërsa ministri i Jashtëm rus është takuar me liderin e Koresë së Veriut në Phenian.
Një nga këshilltarët më të besuar të Kim Jong-un gjendet në Shtetet e Bashkuara. Kim Yong-chol, ish-kreu i spiunazhit koreanoverior, ka darkuar në Nju Jork me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Kjo është vizita e nivelit më të lartë në SHBA që prej 18 vitesh nga ana e një zyrtari të Koresë së Veriut dhe ka për synim të shpëtojë samitin e programuar në SIngapor me 12 Qershor mes presidentit Donald Trump dhe diktatorit të Phenianit.
Nga ana tjetër e botës, gadishulli Korean pret delegacionin amerikan të drejtuar nga ish-ambasadori i SHBA-së në Seul, Sung Kim. Dy delegacionet, me Veriun që përfaqësohet nga zëvendësministrja e Jashtme, Choe Son-hui, deri më tani kanë zhvilluar dy raunde me mbledhje sekrete, të dielën e kaluar dhe të mërkurën në fshatin Panmunxhom, në kufirin mes Veriut dhe Jugut. Në Singapor përfaqësues të dy vendeve janë angazhuar në vendosjen e detajeve të logjistikës dhe sigurisë të samitit të shumëpritur.
Këto ditë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka mbërritur në Phenian me ftesë të homologut të tij koreanoverior Ri Yong-ho. Kjo është bërë e ditur nga agjencia e lajmeve KCNA. Program i vizitës nuk është zbuluar. Edhe kjo mbledhje është zhvilluar në një periudhë intensiteti të aktivitetit diplomatik, nga njëra anë dhe tjetra e planetit.
Ndërkohë, në samitin e shumëpritur mes Trump dhe Kim Jong-un, pritet të diskutohet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe dhe çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut./abcnews.al