Vijon lufta tregtare, hyjnë në fuqi tarifat e ashpëra të SHBA ndaj Kinës

schedule23:37 - 24 Shtator, 2018

schedule 23:37 - 24 Shtator, 2018

Përshkallëzohet lufta tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit. Pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja për importin, Kina akuzon Shtetet e Bashkuara për praktika bulizmi në fushën e tregtisë.

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për bulizëm tregtar pasi një raund i ri i tarifave hynë në fuqi ndaj mallrave të vendit komunist. Uashingtoni imponoi tarifa të reja për 200 miliardë dollarë vlerë të produkteve kineze, raundi më i madh i vendosur ndonjëherë në luftë tregtare të përshkallëzuar mes dy superfuqive ekonomike. Tarifat erdhën si kundërpërgjigje për ato që SHBA i konsideron si praktika të pabarabarta tregtare të Kinës. Nga ana tjetër edhe Pekini vendosi më herët tarifa për 60 miliardë dollarë vlerë të mallrave të SHBA-ve.
Në një dokument zyrtar, siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, Kina thotë se SHBA po përdor “praktika të bulizmit tregtar”, “Intimidon vendet e tjera përmes masave ekonomike”, dhe dëmton ekonominë globale. Gjithashtu Kina akuzon Uashingtonin për nisjen e “luftës tregtare më të madhe në historinë ekonomike”.

Lëvizja e fundit e çon shumën totale të tarifave të vendosura që prej muajit korrik, që godasin importimin e mallrave nga Kina, deri në 250 miliardë dollarë. Kjo shifër është sa gjysma e mallrave të importuara të Kinës në SHBA. Përshkallëzimi i fundit vjen pasi Pekini anulloi vazhdimin e bisedimeve tregtare me Uashingtonin. Raportohet se masat e fundit ndëshkuese prekin të paktën 6 mijë produkte si çanta, oriz dhe tekstile. Gjithashtu prekin edhe sektorin e teknologjisë./abcnews.al