Londra është kthyer në një qytet shumë të dhunshëm duke rritur ndjeshëm shqetësimin e banorëve dhe policisë. Vetëm në orët e para të së dielës janë regjistruar dy vrasje. Ndërsa që prej fillimit të këtij viti kanë ndodhur mbi 60 vrasje.
Përsëri dhunë në Mbretërinë e Bashkuar, ku vetëm në orët e para të së dielës kanë ndodhur dy vrasje. Në Londër, një 17-vjeçar është qëlluar për vdekje me armë zjarri në lagjen Southëark, në zonën qëndrore të qytetit. Viktima, është gjetur në rrugë nga policia, e cila mbërriti në vendngjarje pas një telefonate. Nuk ka shërbyer për asgjë ndërhyrja e parë, pasi adoleshenti kishte ndërruar jetë.
Në të njëjtën kohë edhe në Liverpool ndodhi një tjetër vrasje. Edhe në këtë rast pala e dëmtuar ishte një i ri. Një 20-vjeçar ka ndërruar jetë pas transportimit në spital. Ai ishte sulmuar me thikë.
Vala e dhunës në kryeqytetin britanik po shqetëson tej mase banorët dhe forcat e rendit. Që prej fillimit të këtij viti, policia e qytetit ka hetuar për 60 krime, një shifër që i ka dhënë Londrës çmimin e trishtë në botë për numrin më të lartë të vrasjeve, duke kaluar edhe Nju Jorkun.
Pikërisht për këtë situatë erdhi më parë edhe një koment nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Londra është shndërruar në një zonë lufte, ku mbizotëron epidemia e therjeve me thikë”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë duke shtuar më tej se një spital i kryeqytetit britanik është kthyer në zonë lufte.
Megjithatë atij iu përgjigj një deputet i parlamentit britanik, duke thënë se në SHBA ndodhin 5 herë më shumë vrasje se në Mbretërinë e Bashkuar./abcnews.al