Vijon asfaltimi i rrugëve në brendësi të lagjeve, Veliaj: Askujt nuk do i prekë më këmba në baltë

schedule14:04 - 5 Nëntor, 2022

schedule 14:04 - 5 Nëntor, 2022

Rruga “Ramazan Kasa”, afër shkollës “Hasan Vogli” në Njësinë 9, është aksi më i fundit i asfaltuar dhe i ndriçuar nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion veliaj inspektoi gjatë natës punimet në këtë kantier, ku tha se pas investimeve në shkolla dhe në kantierin e madh të rindërtimit, tashmë puna po vijon në çdo lagje të kryeqytetit, në mënyrë kapilare.

“Më vjen shumë mirë që, edhe Njësia 9, ku ne kemi bërë një super shkollë si “Hasan Vogli”, është prekur nga ndërhyrjet në nivel kapilar. Është shumë e rëndësishme që, tani që bëjmë edhe infrastrukturën dhe që nuk i prek këmba askujt në baltë në të gjithë këtë mëhallë, të kompletojmë edhe pjesët në brendësi të pallateve. Kemi pasur ndërtesa të vjetra, ndërtesa që kanë qenë të amortizuara, janë bërë edhe dy pallate, tashmë duhet që të kujdesen administratorët. Pra, nëse Bashkia paguan gjysmën për kafazin e ashensorit, për instalimet, për veshjen me kapotë, duhet ta mirëmbajmë”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se, në total, do të investohet në 300 mijë metra katrorë asfaltim dhe sistemim rrugësh.

“Do të thotë se do të futemi në të gjitha xhepat pallateve, në të gjitha rrugicat.  Sigurisht, po punojmë në disa shtresa: punon Ujësjellësi, OSHEE dhe pastaj, bashkia për t’i sistemuar këto. Një Tiranë që rritet, një Tiranë që do internet çdo ditë, do më shumë punë përditë, do 20 kë ose një rrymë tjetër që e përballon fluksin e ndërtimeve në Tiranë dhe unë besoj shumë fort se, nëse edhe komuniteti e kupton këtë, është bashkëpunues, dhe kemi mundësi t’i mirëmbajmë, atëherë edhe vendi do të bëhet tërheqës”, nënvizoi ai.

Veliaj tha se në datën 13 nëntor përfundon gara për të gjitha kompanitë që do merren me asfaltimin dhe ndërhyrjet e planifikuara në çdo njësi të Tiranës./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!