TIRANË- Analisti i njohur Roland Bejko, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se baza e Partisë Demokratike e ka nxjerrë pothuajse “non grata” Sali Berishën.
Ai theksoi se Berisha presionet për Ervin Salianjin i bën për të përçuar mesazhet se ai është vetë partia dhe askush nuk mund të dalë jashtë kësaj kornize.
“Baza e ka nxjerrë gati “non grata” Berishën, pasi ndihet e gënjyer, për të mos thënë e tradhtuar. Berisha nuk e mori një vendi të përjashtimit, pavarësisht se e paralajmëroi, por nuk i paraqiti asnjë provë dhe asnjë fakt për takimin në Elbasan, me pretendimin se takimin ia ka organizuar Suel Çela. PD e konsideron pronë, luftën e bëri për ta hipotekuar atë”, tha ai.
Ai u shpreh se Sali Berisha është një politikan autokrat pasi prej 35 vitesh vijon të mbajë “peng” Partinë Demokratike.
Sipas tij, Berishës i mungon qartësia politike, sepse vetë PD nuk ka struktura dhe as bazë organizative.
“Berisha është autokratik sepse nuk mund të rrijë politikani 35 vjet në krye të partisë. Berisha e ka partinë e shkalafitur.
I mungon qartësia. Berisha është i paqartë, sepse pushtetin e shikon të largët, sepse siç e thotë edhe vetë, pushtetin nuk ia marrim dot Ramës.
Nuk ka struktura bazike dhe kjo i ka dhënë pasigurinë e pjesëmarrjes. Janë larguar për shkak të zhgënjimit.”, u shpreh ai/abcnews.al

