KUKËS– Sapo ka mbaruar akademinë e Arteve dhe është emëruar regjisor në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës. Për Glevis Lleshaj është shfaqja e parë teatrale e vënë në skenë dhe një rizgjim I aktivitetit artistik në Kukës.
Bëhet fjalë për pjesën teatrale të dramatizuar “Tumja e Kajës” me skenar të Petrit Palushit, nxjerrë nga legjendat e Lumes.
Glevisi e ka nisur herët rrugëtimin e tij artistik. Në fillim si këngëtar e më pas instrumentist, producent filmi me metrazh të shkurtër e kështu me radhë. Arti I pëlqen shumë dhe ka vendosur të bashkëjetojë me të.
Për artin skenik kishte parë e dëgjuar pjesë të tëra, por derisa nisi studimet për regji, nuk e pati menduar si drejtimin e tij kryesor. Thotë se në Kukës ka vështirësi me potencialet krijuese dhe spikatjen e aktorëve të mirëfilltë, ndaj I duhet punë e bashkëpunim.
Ka gjetur mirëkuptimin me gjimnazistët e Kukësit me të cilët tashmë herë pas here, krijon modele shfaqjesh të ndryshme.
“Tuma e Kajës” ishte modeli i parë i këtij rikthimi, ndaj niveli i saj mbushi sallën. Ndonëse jo profesionistë, por nxënëse gjimnazi, Fabjola Axhami në rolin e Kajës dhe Isjola Zela në rolin e nënës, dy aktorët kryesorë u futën brenda rolit dhe e përjetuar atë, u pëlqye mjaft nga shikuesit të cilët vlerësuan jo vetëm lojën aktoriale dhe dramën, por edhe rikthimin e spektatorit në sallë.
Edhe për skenaristin Petrit Palushi, kjo dramë foli shumë si një mesazh për përcjelljen e vlerave të trashëgimisë ndër breza. Drama “Tuma e Kajës” bën fjalë për një vajzë që jetonte me të ëmën e saj në stanet e bjeshkëve të Kukësit e kthyer në zanë mali derisa ribashkohet me familjen në dasmën e vëllait të saj. Një përjetim emocional mitologjik e që është ruajtur me fanatizëm./ abcnews.al