Vietnami do të heqë kufizimet e tij lidhur me COVID-19 në fluturimet ndërkombëtare të pasagjerëve me të gjitha tregjet duke filluar nga 15 shkurti, pa asnjë kufizim në numrin e fluturimeve, raportoi të dielën gazeta shtetërore Tuoi Tre.
Vendi i Azisë Juglindore vendosi kontrolle të rrepta kufitare në fillim të pandemisë për të mbajtur jashtë COVID-19, me njëfarë suksesi fillestar, por kjo i dha një goditje sektorit të tij të turizmit në zhvillim, i cili përbën rreth 10 për qind të produktit të brendshëm bruto.
“Vietnam do të heqë kufizimet në fluturimet ndërkombëtare duke filluar nga 15 shkurti. Frekuenca e fluturimeve do të rikthehet në nivelin para pandemisë,” u citua të ketë thënë Dinh Viet Son, zëvendësdrejtor i Administratës së Aviacionit Civil të Vietnamit.
Vietnami i ka informuar tashmë partnerët e tij për politikën e re dhe vetëm Kina nuk ka pranuar ende të rifillojë fluturimet komerciale me Vietnamin.
Vietnami tashmë kishte filluar gradualisht të rihapte fluturimet ndërkombëtare me 15 tregje nga fillimi i këtij viti duke lehtësuar kërkesat për karantinë, me pasagjerët e vaksinuar që tani u duhen vetëm tre ditë izolim.
Vendi i Azisë Juglindore ka regjistruar afro 2.5 milionë raste me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë dhe rreth 39,000 vdekje. Gati 98 për qind e popullatës prej 98 milionë kanë marrë të paktën dy doza vaksinash, treguan të dhënat zyrtare./REL