Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i ka dërguar KLGJ-së kërkesën për pezullimin e menjëhershëm dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani për shkak të videove të publikuar në “Tik Tok”.
Gazetari i ABC, Ermal Vija raporton se kërkesa për shkarkim argumentohet nga ILD me faktin se gjyqtarja ka diskredituar figurën e gjyqtarit. Tashmë pritet që të mblidhet KLGJ brenda tre ditëve për të vendosur mbi raportin e ILD ku sipas të gjitha gjasave gjyqtarja do të shkarkohet.
Ku bazohet kërkesa e Artur Metanit?
Kërkesa e Metanit për pezullim të menjëhershëm të magjistrates bazohet në nenin 152, pika 1 të ligjit 96/2016 për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, sipas të cilit “Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit, sipas nenit 124, të këtij ligji, ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji. Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra.
Lexo edhe: VIDEO/ Publikohen “performancat” e radhës të gjyqtares së Elbasanit
Në videot që bënë xhiron e rrjeteve sociale në dy ditët e fundit gjyqtarja Kapedani mes luksit shfaqet ndërsa ecën me ritëm sfilate nëpër korridoret e gjykatës si dhe në mjediset e zyrës së saj. Madje në sfond të njërës prej videove dëgjohet melodia e një kënge shqiptare të titulluar “Mafia”.
Gjyqtarja Kapedani është shprehur për mediat se është ndjerë keq nga publikimi i videove, i bërë sipas saj, me qëllimin për t’i prishur imazhin. Por ILD brenda pak orësh, pas inspektimit që iu bë pasditen e djeshme zyrës së saj vendosi që të kërkonte shkarkimin nga detyra./ db/ Abcnews.al