Flakët në pyllin me pisha mes fshatrave Gjynaqare dhe Drenie në Qarkun e Fierit janë përhapur dhe në fshatin Lofkënd të Mallakastrës.
Bimësia e dendur dhe terreni i thepisur po vështirëson izolimin e vatrës. Forcave zjarrfikëse dhe atyre te emergjencave civile iu janë bashkuar dhe Forcat e Armatosura. Flakët po tentohet të vihen në kontroll me pompa shpine, por pa rezultat. Pritet ndërhyrja nga ajri për të lokalizuar përhapjen e zjarrit.
Aktualisht rezultojnë të shkrumbuara 5 hektar pyll me pisha dhe shkurre. Ndërsa në fshatin Visokë të Mallakastrës era përhapi flakët që përfshinë një sipërfaqe me bimësi dhe shkurre pranë zonës së banuar duke krijuar shqetësim tek banorët.
Por me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse vatra e zjarrit u vu në kontroll. Autoritet kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit.
Aktive është dhe zjarri në zonën e ish Uzinës Mekanike Poliçan. Për shkak të zonës zjarrfikësit, dhe forcat e ushtrisë po punojnë me kujdes të shtuar për shuarjen e flakëve.
Ndërsa zjarri ne malet mbi fshatin Dhivër të Finiqit vijon të përhapet në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të ulët mbi zonat Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre.
Rrezik i lartë për zjarre Instituti i Gjeoshkencave të enjten parashikon në Qarkun e Fierit ndërsa të moderuar në Qarqet e tjera.
/abcnews.al

