Është vënë nën kontroll zjarri i rënë në një servis makinash në rrugën Durrës-Shijak, në vendin që njihet si “Mulliri i Bullgarit”.
Edhe pse zjarrfikëset e kanë patur të vështirë të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve, pasi në brendësi të këtij servisi, dëgjoheshin shpërthime, është bërë i mundur neutralizimi i flakëve.
Një numër i madh automjetesh janë djegur, për shkak se vetë servisi është ndër më të mëdhenjtë dhe shërben edhe si pikë grumbullimi në Durrës.
Sipas burimeve policore shkak për provokimin e zjarrit, dyshohet se është bërë një shkëndijë elektrike në kabinën e rojës, nga një ngrohës elektrik.
Siç raporton për abcnews.al gazetari Leonidha Musaj, zjarrfikëset që kanë marrë pjesë në aksionin për shuarjen e flakëve kanë ardhur nga Durrësi, Kavaja dhe Shijaku.
Për shkak se servisi i përfshirë nga flakët ndodhet në një zonë rurale dhe banesat ndodhen larg nuk ka patur rrezik për lëndime në njerëz por tashmë raportohet vetëm për dëme materiale pasi disa makina janë djegur plotësisht.
Policia ndodhet pranë servisit dhe ka filluar punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes ndërsa ka dhënë dhe detajet e para për ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
“Durrës/Informacion paraprak
Më datë 01.02.2020, rreth orës 19:55, në Rrushbull, sa kalon shinat e trenit, ka rënë zjarr në një servis për shitje pjesë këmbimi për automjete.
Në vendngjarje kanë shkuar 5 makina zjarrfikëse ku aktualisht është bërë e mundur izolimi i përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Durrës po evakuojnë banorët përreth, duke i larguar nga jashtë perimetrit të sigurisë .
Shërbimet e Policisë rrugore të Durrësit kanë marrë masa për devijimin e qarkullimit dhe mos lejimin e kalimit të asnjë automjeti në afërsi të servisit të përfshirë nga flakët.
Në vendngjarje ndodhet dhe grupi hetimor, ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në këtë servis.
Vijon puna për shuarjen e plotë të zjarrit”./abcnews.al