VIDEO/ Verstapen “alien” në Francë, mund Hamilton dhe triumfon në “Paul Ricard”  

schedule16:57 - 20 Qershor, 2021

schedule 16:57 - 20 Qershor, 2021

Max Verstapen është fituesi garës së Çmimit të Madh të Francës në pistën “Paul Ricard”. Holandezi arriti të fitojë duelin me të dy makinat e Mercedes dhe të mbyllë një garë spektakolare, i ndihmuar edhe nga gjenialiteti në strategji i ekipit të tij, që i dha mundësinë “të fluturonte” në 20 xhirot e fundit.

Ishte një garë spektakolare. Holandezi e nisi garën në vendin e parë, por një gabim në kthesat e para e zbriti në pozicionin e dytë dhe i dha mundësinë Hamilton të marrë kreun. Piloti britanik ishte i pandalshëm dhe e çoi diferencën me rivalin e tij në dy sekonda.

Në xhiron e 19 Verstapen vendosi të hyjë në pit-stop dhe një xhiro më pas të njëjtën gjë e bëri edhe Hamilton. Kjo strategji i dha mundësinë Verstapen të marrë kreun e garës. Por gomat e Red Bullit të tij u konsumuan më shpejt se ata të Mercedes, duke rrezikuar kreun dhe Horner e Newey vendosën ta fusin edhe një herë në bokse pilotin e tyre.

Kjo ndodhi në xhiron e 33-të, me Verstapen, që doli nga pit-lane në vendin e katërt, rreth 10 sekonda larg makinave Mercedes. Kushdo mund ta quante të gabuar këtë strategji, por në fakt këtu u vendos fati i garës. Makinave Mercedes iu konsumuan gomat dhe kishin probleme kryesisht me ato të përparme.

E kundërta ndodhi me Verstapen, që nisi pikërisht “fluturimin”, që përmendëm më lart. Holandezi pasi kaloi shokun e tij të skuadrës, Perez, u vu në ndjekje të Bottas, të cilin e parakaloi në xhiron e 43-të. Në pjesën e mbetur të garës qëllimi ishte i vetëm: Lewis Hamilton.

Gomat dhe makina Red Bull, që në këtë sezon është i një niveli të lartë, arriti ta ndihmonte Verstapen, që në harkun e pak xhirove arriti të dalë në pasqyrat e Hamilton dhe të shkaktojë panik në bokset e skuderisë gjermane. Në të 52-tën, ndodhi ajo që të gjithë po e prisnin.

Verstapen bëri një parakalim manual ndaj Hamilton dhe shkoi i shfrenuar drejt fitimit të kësaj gare, që e mban lider të Botërorit dhe e ndihmon të shkëputet ndaj rivalit anglez. Ndërkohë, edhe Red Bulli tjetër, ai i Sergio Perez ishte jashtëzakonshëm në fund dhe plotësoi podiumin, duke parakaluar Bottas.

Ferrari? Ishte shumë dobët sot. Asnjëra prej kokëkuqeve nuk mundi të renditet në 10 vendet e para dhe dolën pa pikë. Surpriza është sërish Alonso, që me Alpinen e tij arriti vendin e tetë. Pas garës së sotme në cirkuitin “Paul Ricard”, Verstapen mban vendin e parë në renditje me 131 pikë, i ndjekur nga Hamilton me 119 të tilla dhe Perez në kuotën e 84 pikëve. /abcnews.al