Është mbyllur klasikja e Gjermanisë mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen, me bavarezët që triumfuan me rezultatin minimal 0-1. Mjaftoi një supergol i Joshua Kimmich që djemtë e Flick të largoheshin triumfues nga Dortmundi dhe të nisnin marshimin drejt titullit kampion.
Sfida ishte shumë e luftuar, me Borussian që e nisi më mirë. Djemtë e Favre ishin të motivuar për të fituar, duke parë dhe renditjen në tabelë (Bayern në krye +4). 15 minutat e para, folën për verdhezinjtë, por konkretizim nuk pati.
LEXO EDHE: VIDEO/ Messi, ti je?! Kimmich realizon supergol ndaj Dortmundit
Bayern u zgjua dhe arriti t’i marrë qarkullimin e topit vendasve dhe në minutat e fundit të pjesës së parë, e shtoi ndjeshëm presionin. Madje, në minutën e 44-ët, arritën të gjenin dhe rrjetën. Pas kombinimeve me Coman dhe Muller, Kimmich nuk mendohet dy herë dhe gjuan me parabolë nga jashtë zone.
Gjuajtja e mesfushorit gjerman, gjeti të papërgatitur gardianin Burki dhe topi u ndalua në rrjetë. Dortmundi provoi në pjesën e dytë për të barazuar, me Hazard që shkoi shumë pranë golit.
Haaland? Një pasdite për t’u harruar: 5 gjuajtje, tre të bllokuar, dy jashtë kuadratit. Bayern merr kështu tre pikë shumë të rëndësishme dhe nis marshimin drejt titullit kampion. Djemtë e Flick ngjiten në kuotën e 64 pikëve, duke lënë Dortmundin me 57 në vendin e dytë./abcnews.al
Bundesliga, java 28
Dortmund – Bayern 0-1
Kimmich 44’