Video/ Vëllai i vogël vret me thikë vëllain e madh 13 vjeçar në Fier

schedule12:18 - 24 Tetor, 2018

schedule 12:18 - 24 Tetor, 2018

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Baltëz të Fierit. Një 10 vjeçar ka qëlluar me thikë vëllain më të madh, pas një grindje çasti mes tyre. 13 vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Kjo thikë kuzhine dhe një zënkë e zakonshme mes vëllezërish u bë shkak për humbjen e jetës së një 13 vjeçari në fshatin Baltëz në Fier.  Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e kësaj të mërkure në një kohë kur prindërit e fëmijëve ishin në punë ne rrobaqepsi. Këtë ditë iu desh të ktheheshin më herët pasi morën lajmin e kobshëm.

Banori 1: “Gjendje shumë e vështirë. Shkon të punojë me gjithë të shoqen në Vlorë vetëm që të lajë borxhet që ka që të ushqejë fëmijët. Me sakrifica të mëdhaja, shiko ça i gjeti. Janë fëmijë.

Banori 2: “Sa erdhi nga puna. Atë të madhin e la në shtëpi, i tha të voglit që ta merrte peshkun sa të vinte dhe të hanin bukë, ai se bëri, u zemërua dhe e goditi e la për vdekje, kaq ishte puna.”

Djemtë mendohet të jenë grindur dhe në gjaknxehtësi e sipër i vogli goditi me thikë vëllain e madh. Ata ndodheshin në oborr duke pastruar peshkun që do të ishte dreka e tyre. Gj. Veizi është goditur një herë me thikë në kofshë. Ai ka shkuar te gjyshi në shtepinë ngjitur për të kërkuar ndihmë. Por i moshuari nuk ka mundur të bëjë gjë tjetër veçse të kërkojë edhe ai ndihmë.

Banori 3: “Vetëm sa më thanë që merre këtë fëmije dhe çoje në spital. Nuk pashë gjë se ku ishte goditur, pashë vetëm nënën që e kishte mbledhur me badanije dhe e çova urgjentisht në spital.”

Mbetet e paqartë koha që kaloi derisa 13 vjeçari u dërgua në spital, por duket se ka qenë e mjaftueshme për ti shkaktuar vdekjen nga gjakderdhja. Policia ka marrë në pyetje 10 vjecarin K. Veizi por nuk ka nxjerrë ndonjë rrëfim të besueshëm për shkak të tronditjes në të cilën ndodhet i mituri. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë vazhdojnë. Materialet do ti kalojnë seksionit të prokurorisë për të miturit ku pritet të caktohet masë edukuese për 10 vjeçarin./abcnews.al

Përgatiti: Valbona Daci, gazetare e ABC News, Fier