Punonjësi i një kompanie interneti ndërroi jetë mesditën e sotme teksa po instalonte një lidhje në Nikël të Krujës.
Në rrethana të paqarta ai ka rënë në kontakt më rrymën, e cila ka qenë e fortë dhe e ka hedhur nga shkallët në tokë. Abcneës.al ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen edhe shkallët me të cilat punonjësi kishte hipur në shtyllë.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, punonjësi është marrë me furgon për t’u dërguar në spital, por në shpejtësi e sipër, shoferi i furgonit përplasi edhe një 60 vjeçar në Kamzë. Për fat të mirë, ky i fundit është jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.05.2020, rreth orës 10:50, në qendër Kamzë, mjeti tip furgon me drejtues shtetasin G. S., 29 vjeç, ka aksidentuar biçiklistin S. M., 60 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi e mjetit furgon po qarkullonte me shpejtësi pasi po transportonte për në spital shtetasin A. Z., i cili gjatë punës si elektricist, në fshatin Nikël, kishte rënë në kontakt me rrymën elektrike. Shtetasi A. Z. ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të saj.
/abcnews.al