Mbyllet pa fitues ndeshja Sassuolo-Napoli. Të dy ekipet zhvilluan një futboll të bukur, por në fund ndanë nga një pikë pas barazimit 3-3. Elseid Hysaj u rikthye titullar tek ekipi i Gattusos, teksa nga minuta e parë e nisi ndeshjen edhe Amir Rrahmani.
Insigne gjeti golin në mesin e pjesës së parë, por VAR-i anuloi festën e skuadrës mike. Sassuolo përfitoi dhe kaloi në avantazh në minutën e 34-t falë autogolit të Nikola Maksimovic. Mbrojtësi serb dërgoi me kokë topin në portën e tij.
Minuta të bukura në “Mappei Stadium”, teksa katër minuta më vonë erdhi barazimi. Polaku Zielinski tundi rrjetën kundërshtare, por golat nuk kishin mbaruar. Sassuolo fitoi një penallti (ndërhyrje e gabuar e Hysajt) në minutën e dytë shtesë dhe Berardi nuk gaboi nga pika e bardhë.
Napoli ndryshoi marsh në fraksionin e dytë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 72-të. Veprim i bukur i kapitenit Insigne në krahun e majtë dhe finalizim i mbrojtësit Di Lorenzo. Ndeshja mori “zjarr” dhe minutat e fundit ishin shumë emocionuese.
Napoli fitoi një penallti në minutën e 89-të, të cilën Insigne e ktheu në gol. U mendua se skuadra udhëtuese mori tre pikët, por minuta e katërt shtesë solli një tjetër penallti. E dyta për Sassuolon dhe e treta në total.
Francesco Caputo dërgopi topin në rrjetë dhe i dhuroi një pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Rezultati i sotëm e mban Napolin në vend të pestë me 44 pikë, ndërsa djemtë e De Zerbit renditen tre shkallë më poshtë me 8 pikë më pak. /abcnews.al