VIDEO/ Ukraina merr 3 pikët e para, Alioski s’i mjafton Maqedonisë së Veriut

schedule16:54 - 17 Qershor, 2021

schedule 16:54 - 17 Qershor, 2021

Ukraina fitoi 2-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, duke ia dalë të sigurojë tre pikët e para në grupin C të Euro 2020, aty ku bëjnë pjesë edhe Holanda e Austria. Skuadra e drejtuar nga i famshmi Andriy Shevchenko korri një sukses të madh, që e afron me kualifikimin në raundin tjetër.

Maqedonia e Veriut regjistroi humbjen e dytë radhazi pas asaj kundër Austrisë në debutim. Golat e fitores erdhën në pjesën e parë për Ukrainën. Andriy Yarmolenko u gjend i lirë në zonën kundërshtare pas gjysmë ore lojë dhe dërgoi topin në rrjetë.

Goli i dytë radhazi për sulmuesin e West Ham pas kryeveprës ndaj Holandës. Pesë minuta më pas erdhi edhe dyfishimi. Aksion i bukur me kombinime të saktë dhe finalizim i Roman Yaremchuk, sulmuesit të Gent në Belgjikë.

Kaq për pjesën e parë, teksa maqedonasit e nisën më mirë fraksionin e dytë të sfidës që u luajt në Bukuresht (Arena Nationala), kryeqytetin e Rumanisë. Goran Pandev fitoi një penallti në minutën e 57-të dhe nga pika e bardhë iu vendos Ezgjan Alioski.

29-vjeçari shqiptar i Leeds United, gaboi në momentin e parë, portieri kundërshtar grushtoi goditjen e tij, por Alioski përfitoi nga topi i rikthyer dhe tundi rrjetën. Maqedonia e Veriut mori zemër, por shansin më të mirë e patën ukrainasit në gjashtë minuta nga fundi.

Penallti për ekipin lindor, por tjetër gafë. Lojtari i Atalantës, Ruslan Malinovsky nuk ia doli të thyejë portierin Stole Dimitrievski të Rayo Vallecano. Përfundimisht 2-1 për Ukrainën, që merr tre pikë të arta për objektivin kualifikim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!