Milan arrin fitoren e radhës. Kuqezinjtë nuk hasën probleme kundër Spal në “San Siro”, fituan pastër 3-0 dhe u kualifikuan në çerekfinalet e Kupës së Italisë, teksa në mbrojtje debutoi danezi Kjaer (82 minuta aktivizim). Piatek u rikthye te goli dhe zhbllokoi ndeshjen në minutën e 20-të.
Bennacer nxori të lirë polakun me anë të një pasimi të bukur dhe ky i fundit nuk gaboi përballë Etrit Berishës. Dyfishim erdhi në fundin e pjesës së parë me anë të Castillejos. Spanjolli konfirmoi formën e mirë dhe shënoi një eurogol në ndeshjen e 50-të me Milanin.
Në pjesën e dytë pati festë edhe për Theo Hernandez. Inkursion i bukur i mbrojtësit të majtë, gjuajtje e fortë dhe topi në rrjetë edhe falë pasigurisë së portierit shqiptar. Në fund 3-0 dhe festë kuqezi në shkallët e stadiumit “San Siro”. /abcnews.al
Milan – Spal 3-0
(Paitek 20′, Castillejo 44′, Theo Hernandez 66′)