VIDEO/ Tritol dhe përplasje me armë në Shkodër, por drejtuesi i policisë ka një hall tjetër

schedule10:41 - 6 Shkurt, 2020

schedule 10:41 - 6 Shkurt, 2020

Shkodra u trondit mbrëmë nga dy ngjarje të rënda. Një sasi tritoli u vendos tek shtëpia e ish-basketbollistit të Vllaznisë, Nikolin Arraj, ndërsa një grua u plagos nga përplasja mes bandave teksa kalonte rastësisht në rrugë.

Por, ndërkohë që qytetarët janë të frikësuar nga rritja e nivelit të kriminalitetit në qytet, drejtuesit e policisë duket se kanë një problem tjetër. Problemi janë gazetarët.

Njëri prej drejtuesve filmohet duke fyer gazetarët teksa u thotë që të largohen prej komisariatit ku kishin shkuar për të marrë informacion mbi ngjarjet e rënda.

“Mu zhdukni prej këtu, ec, mu zhdukni të gjithë”, dëgjohet të thotë drejtuesi.

Ndërkohë, policia ka njoftuar pak më parë se kanë zbardhur njërën prej ngjarjeve të rënda, pikërisht plagosjen e Liljana Jeremijas.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se tre të rinj, dy nga Durrësi dhe 1 shqiptar i Maqedonisë kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të një të riu nga Shkodra. Ky i fundit është kundërpërgjigjur me armë. Nga të shtënat e dy palëve mbeti e plagosur një 35 vjecarje që u ndodh rastësisht në pedonalen e qytetit. Burimet thanë se përplasja e armatosur ka ardhur për prishjen e pazareve të drogës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!