Është mbyllur takimi mes Milanit dhe Lazios, me fitoren e lacialëve me rezultatin 1-2. Ky takim, ishte i vlefshëm për javën e 11-të të Serie A. Ishte Ciro Immobile ai që shënoi i pari, në minutën e 24-ët.
Sulmuesi italian vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Lazios dhe duket se e ka gjetur shtëpinë e tij. Për më tepër, ky gol ishte jubilar për bomberin, pasi arriti në kuotën e 100 golave me Lazion.
Megjithatë, barazimi për Milanin nuk do të vononte. Një aksion i gjatë i kuqezinjve shkon në këmbët e Hernandez, i cili kroson nga e majta. Piatek është shumë pranë kontrollit të topit, por vetëm e prek pak. Gjithsesi, kaq mjaftoi që mbrojtësi Bastos të shënonte në portën e tij.
Në minutat e fundit të sfidës, Lazio do të arrinte të gjente golin e fitores. Sulmuesi Correa do të shënonte në minutën e 83-të, për t’i prerë gjunjët Milanit dhe për të shokuar të pranishmit në “San Siro”. Një tjetër humbje për Piolin, që nuk e ka nisur aspak mirë aventurën e tij në krye të stolit kuqezi./abcnews.al
Serie A, java 11
Milan – Lazio 1-2
Bastos (ag) 28′ / Immobile 24′, Correa 83′