Ky Botëror mesa duket nuk do të jetë vetëm ai i futbollit, por edhe ai i ngacmimit të gazetareve femra. Në pak ditë janë raportuar disa raste, ku gazetaret janë ngacmuar seksualisht nga tifozë gjatë kohës që ishin duke raportuar direkt.
Por në rastin e fundit të bërë publik, gazetarja është treguar më e shkathët se tifozi, madje ka filluar t’i bëjë moral duke e qortuar. Julia Guimaraes ishte në Ekaterinburg Arena të dielën në përballjen mes Japonisë dhe Senegalit dhe po raportonte jashtë ambienteve të stadiumit pë një televizion sportiv brazilian.
Një tifoz i afrohet dhe përpiqet ta puthë para kamerës, por Julia kupton gjithçka dhe lëviz me shpejtësi anash. Por nuk u ndal me kaq. Më pas, ajo filloi të qortonte tifozin, që sipas mediave mund të jetë rus.
“Mos e bëj këtë. Mos e përsërit më, OK?”, dëgjohet t’i thotë gazetarja tifozit, i cili i kërkon falje jashtë kameras.
“Nuk ta lejoj ta bësh këtë, kurrë. OK? Nuk është e sjellshme, Nuk është e drejtë. Kurrë mos e bëj këtë ndaj një femre, OK? Respektoje”, vazhdonte ta qortonte më pas gazetarja fansin.
Ajo e postoi incidentin në Twitter, ku shkruante se një gjë të tillë nuk e kishte përjetuar asnjëherë në Brazil. Më tej, ajo shton se gjatë turneut në Rusi, tifozë të tjerë kanë tentuar të bëjnë të njëjtën gjë ndaj gazetares.
Një javë më parë, i njëjti incident ndodhi me një gazetare kolumbiane gjatë raportimit direkt. Një tifoz e puthi dhe i preku gjoksin, ndërsa ajo fliste para kamerës. Komentues të ndryshëm në lidhje me këtë ngjarje u shprehën të zemëruar, kurse autoritetet nuk arritën të identifikonin tifozin./abcnews.al