VIDEO / Thyhet rregulli i karantinës në Nartë, banorët hedhin valle dorë për dore

schedule10:58 - 22 Prill, 2020

schedule 10:58 - 22 Prill, 2020

U tha se 2020-ta do të ishte viti i parë që ditët pas Pashkë Ortodokse nuk do të kremtoheshin me karnavalet tradicionale në Nartë.

Por, as pandemia dhe as autoritetet nuk e kanë penguar  zhvillimin e tyre.

Banorët me maska jo mjekësore në fytyrë kanë vallëzuar rritet e tyre tradicionale për dy ditë me radhë tërësisht të pashqetësuar  për përhapjen e virusit.

Edhe pse me më pak vizitorë se zakonisht, pasi karnavalet gjallërohen kryesisht nga emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët si pasojë e mbylljes së kufijve me shtetin fqinjë nuk kanë mundur të vijnë pranë familjeve të tyre.

Këtë vit banorët kanë pasur leje vetëm 2 orë në ditë për zhvillimin  e tyre.

“Aktiviteti sot është pak i nxituar, se ligjet janë që mos të bëhen grumbullime për COVID-19, por ky është një zakon që e ka fshati jonë më vite të tëra dhe është shumë e vështirë të harrohet. Me ça po shoh unë njerëzit janë shumë të rregullt, zbatojnë distancën dhe janë larg njëri-tjetrit, kështu nuk rrezikojnë ndonjë sëmundje.

Përsa i përket ditës së Pashkëve ajo është një triumf i jetës ndaj vdekjes. Ringjallja e Krishti këtë tregon, por edhe ne duke u mbrojtur nga COVID-19 do triumfojmë dhe do ta mundim sëmundjen.

Karnavalet Nartës simbolizojnë kalimin nga një periudhë në tjetrën. Nga dimri në pranverë. Nga një stinë me papunë të plogësht, në një stinë me punë, me prodhime, për të kaluar gjithë vitin.

Është kalimi nga një amulli në shpresë dhe gjallëri.Njerëzit këtë herë janë të paktë sepse njerëzit kanë ikur në Greqi, në Itali, në Amerikë. Këtu ka mbetur vetëm mosha e vjetër.

Është për t’u habitur nga mungesa e njerëzve, por të paktën kjo është trashëgimia. Vitet e tjera këtu ka qenë një çmenduri, por shyqyr Zotit falë atyre çunave të rinj, me lejen e policisë, këta e festojnë sot.

Shumë njerëz kanë mbetur në Greqi dhe për këtë arsye ka kaq njerëz. Praktikisht Karnavalet janë ruajtur, derisa po festohet në këtë ditë qameti do të thotë se do të vazhdojë. Ky ka qenë një fshat i madh, njerëzit kanë ikur, por prapë faleminderit edhe kaq. Gëzojmë me këta”, thotë një banor i Nartës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!