Spanja vazhdon të injorojë Kosovën, shtet të cilin nuk e njeh si të pavarur. Në fushë gjithçka po zhvillohet korrekte, por iberikët vijojnë të mos respektojnë fare kundërshtarët e sotëm.
RTE, televizioni shtetëror i Spanjës, nuk e ka shkruar emrin e Kosovës me germa kapitale. Ndërkohë, në shkallët e stadiumit të Sevillas ka ndodhur një incident, që është denoncuar nga gazetari Berat Buzhala.
Autoritete të RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit) kanë kërkuar të hiqet flamuri i Kosovës, por pa ia arritur qëllimit, siç dallohet në videon e publikuar nga Buzhala, i cili sqaron edhe çfarë ka ndodhur.
“Sapo e korrëm fitoren e parë, ama jo në fushë por në stadium. Erdhën autoritetet e Federatës Spanjolle të Futbollit dhe kërkuan prej nesh me e heq flamurin e Kosovës, sepse sipas tyre nuk lejohet.
Dardanet, pra ne, në këtë rast të udhëhequr nga kryetari Luli Berisha, nuk e lejuam një gjë të tillë. Në këtë video mund ta ndiqni një pjese të polemikës. Kjo vazhdoi edhe më pas. Në fund thanë: Në rregull, mbajeni flamurin e Kosovës“, shkruan gazetari dardan. /abcnews.al