Një dygolësh i Kai Havertz i dhuroi Chelsea tre pikë të rëndësishme për objektivin Champions League. “Blutë e Londrës” fituan 2-0 në “Stamford Bridge” kundër Fulham, sukses që erdhi falë realizimeve të 21-vjeçarit.
Havertz zhbllokoi ndeshjen në minutën e dhjetë, duke ia lehtësuar triumfin skuadrës së tij. Shkelmim i portierit Mendy, kontroll dhe asist fantastik i Mason Mount dhe finalizim i lojtarit gjerman. Havertz shënoi sërish tetë minuta më vonë, por goli u anulua nga VAR-i.
Lojtari ofensiv nuk u ndal dhe realizoi golin e qetësisë për Thomas Tuchel. Minuta e 49-të, veprimi i bukur i Havertz, kombinime me Timo Werner dhe topi në rrjetë. Dy gola për Havertz, aq sa kishte shënuar deri tani në Premier League këtë sezon.
Vendasit menaxhuan mirë minutat e mbetura, duke kursyer energji për Real Madrid, dueli ndaj të cilëve të mërkurën e ardhshme do të përcaktojë skuadrën që do të kualifikohet në finalen e Champions League. /abcnews.al