Nikola Jokic ishte lojtari më i mirë në ndeshjet e fundit në basketbollin amerikan. Ylli i Denver Nuggets realizoi “triple doube” dhe siguroi një fitore të vështirë të fushën e Utah Jazz.
Ky është epiteti që i kanë vënë në vendin e tij, në Serbi, “Magic Johnson i Ballkanit”. I tillë është niveli dhe klasi i Nikola Jokic, një lojtar polivalent, i cili di të zotërojë tabelat, por edhe të godasë nga çdo cep i fushës e të ketë një vizion loje të krahasueshëm me atë të legjendave të NBA-së.
Basketbollisti shtatlartë, por edhe shumë i shkathët dhe i talentuar, shpëtoi Denver Nuggets në një ndeshje të vështirë në fushën e Utah Jazz, ku koshat nuk donin që nuk donin të shënoheshin. Përfundimi ishte 98-95 për miqtë, shifra këto të mira ndoshta për Euroligën, por jo për NBA-në.
I vetmi që shkëlqeu siç duhet ishte Jokic. Ai realizoi “triple double” me “shkronja të mëdha”, sepse shënoi 30 pikë, kapi 21 topa në tabela e shërbeu 10 asiste. Po ashtu ai vodhi edhe dy topa ndaj kundërshtarëve.
Edhe pse nuk u zgjodh në formacionin e Ndeshjes së Yjeve, basketbollisti serb është padyshim nga më të mirët në NBA dhe me dashuri në Serbi e quajnë “Magic Johnson i anëve tona”. Denveri është në formë shumë të mirë këtë sezon, në vendin e tretë në Perëndim, me 36 fitore e 16 humbje. /abcnews.al