Suedia i ka marrë një barazim 0-0 Spanjës në “La Cartuja”, pas një ndeshje të dominuar nga vendasit, me nordikët, që u mbyllën dhe arritën një rezultat me shumë vlerë.
Në pjesën e parë pamë një Spanjë më ofensive dhe të rrezikshme, me Suedinë, që e shpëtoi portieri në rastet e Ferran Torres e Dani Olmos dhe fati në një gjuajtje të Alvaro Moratës.
Ndërkohë, rasti i vetëm i rrezikshëm i Suedisë u regjistrua nga Isak, i cili goditi drejt portës, por ishte Pau Torres që priti mrekullisht topin me këmbë dhe mohoi golin.
Vazhdimisht sfera ishte në këmbët e Spanjës, që tentoi me sulme të organizuar, por ishte shumë e vështirë të çante Suedinë e mbyllur fort në zonën e saj.
Në fund u luajt në vetëm një portë dhe Spanja humbi rastin e madh me Gerard Moreno në minutën e fundit të kohës së rregullt. Në 6 minutat shtesë Spanja shtyu në maksimum, por u ndal nga Olsen në goditjet e Moreno dhe Sarabia.
Mungesa e një finalizuesi gjakftohtë dhe një pasimeve të sakta në zonë, i kushtoi Spanjës, që e nis jo mirë këtë Kampionat Europian, duke marrë një barazim me Suedinë dhe ja komplikuar vetes fazën e grupeve. /abcnews.al