VIDEO/ Son lëshon në tapet kampionët e City, Atletico e nis mbarë në LaLiga

schedule19:21 - 15 Gusht, 2021

schedule 19:21 - 15 Gusht, 2021

Manchester City dhe Atletico Madrid, kampionë respektivisht në Angli e Spanjë, zbritën sot në fushën e blertë dhe nisën rrugëtimin për të mbrojtur trofeun.

“Qytetarët” nuk e kanë nisur mbarë, pasi u mposhtën në transfertë nga Tottenham me rezultatin 0-1. Son Heung-Min ishte heroi i “Spurs”-ave, me golin e shënuar 10 minuta nga nisja e pjesës së dytë të takimit.

Sulmuesi koreano-jugor realizoi një gol mjaft të bukur në hyrje të zonës, ndërkohë që Manchester City si zakonisht e kontrolloi lojën dhe tentoi shpesh herë portën, por saktësia nuk ishte ajo që duhej. Në këto kushte Tottenham përfitoi dhe e nisi kampionatin me pikë të plota.

Në Spanjë Atletico Madrid kaloi me sukses ekipin e Celta Vigo me rezultatin 2-1. Kampionët shënuan të parët me Angel Correa, i cili ishte protagonist absolut në këtë duel.

Goli i tij i parë ishte fantastik dhe nuk u pasua nga ndonjë tjetër në pjesën e parë. Në fillimin e të dytës Celta Vigo fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Iago Aspas. Barazimi nuk i shkonte për shtat ekipit të Diego Simeone.

Brena pesë minutash sërish Angel Correa shënoi për Atleticon, duke rikthyer epërsinë dhe duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!