VIDEO/ Shirat dhe erërat e forta prekin Kinën, raportohet për 7 të vdekur

schedule14:02 - 3 Prill, 2024

schedule 14:02 - 3 Prill, 2024

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën në Kinë pas një stuhie të rrallë me erëra të forta që goditën provincën Jiangxi gjatë fundjavës. Tre persona humbën jetën kur si pasojë e erërave të forta, dritaret shpërthyen ndërsa ata ishin duke fjetur.

Moti ekstrem ka goditur nëntë qytete, duke përfshirë Nanchang dhe Youziang, duke prekur 93,000 njerëz në 54 qarqe. Sipas zyrtarëve, shtatë persona kanë humbur jetën deri më tani, ndërsa 552 janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Gjithsej janë dëmtuar 2751 shtëpi. Stuhitë e forta,  më të fortat në më shumë se një dekadë, të shoqëruara nga rrufeja, shirat e dendur dhe breshri i madhësisë së topit të golfit shkaktuan gjithashtu 150 milionë juanë (21 milionë dollarë) dëme, sipas zyrtarëve lokalë.

Shërbimi i motit kishte lëshuar paralajmërime për erëra të forta deri në nivelin 12 në shkallën përkatëse lokale, që korrespondon me një tajfun të kategorisë 1.

Erërat e këtij intensiteti janë të zakonshme kur tajfunet godasin Kinën dhe Azinë Lindore në përgjithësi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!