Kukësi pësoi një humbje të dhimbshme mbrëmjen e djeshme ndaj Bylis me shifrat 2-1, duke humbur totalisht shpresat e skuadrës për një vend në Kupat e Europës.
Ndreca shënoi dy herë në pjesën e parë për skuadrën e Dovedan dhe ia bëri të vështirë përmbysjen Kukësit. Megjithatë, skuadra e Josës në pjesën e dytë u fut fuqishëm dhe e kërkoi me patjetër kthimin e kursit të ndeshjes.
Kurdic shënoi në minutën e 53-të, duke krijuar idenë se ndeshja do të merrte rrjedhë në krahun e verilindorëve. Por Bylis u mbrojt mirë dhe fort dhe mundi të fitojë, por jo pa polemika pas ndeshjes.
Në minutën e parë të shtesës Blerim Kotobelli mbajti një top në kufijtë e zonës dhe mori një ndërhyrje nga sulmuesi i Bylisit, Anthony Beji. Gjyqtari i ndeshjes, Andi Koçi e konsideroi si simulim të Kotobellit dhe ndëshkoi me të kuq anësorin e Kukësit.
Ky vendim i gjyqtarit ka ngjallur protestën e Kukësit, që në rrjetet sociale ka postuar pikërisht këtë moment të dyshimtë dhe shkruan: “Edhe sa? Çfarë kriteri tjetër duhet të ketë një penallti që të jepet për Kukësin?” Gjyqtarët kanë qenë aktorë protagonistë në ndeshjet e fundit. /abcnews.al