Shakhtar Donetsk dhe Sevilla fituan ndeshjet e tyre sonte dhe u kualifikuan në gjysmëfinalet e Europa League. Ekipi ukrainas mposhti 4-1 Baselin e Taulant Xhakës (u aktivizua për 60 minuta) në “Veltins Arena”, stadiumin e Schalke 04 dhe do të ndeshet me Interin për një biletë në finalen e madhe.
Dy herë shënuan brenda 22 minutave ukrainasit me anë të Moraes dhe Taison, duke vulosur kualifkimin. Alan Patrick dhe Dodo realizuan në 45 minutat e dyta, teksa van Wolfswinkel shënoi golin e nderit për skuadrën zvicerane.
Europa League, ndeshjet çerekfinale
Shakhtar Donetsk-Basel 4-1
(Moraes 2′, Taison 22′, Alan Patrick (pen) 75′, Dodo 88′ / van Wolfswinkel 90+2′)
Wolves-Sevilla 0-1
(Ocampos 88′)
Dueli tjetër i luajtur në “Schauinsland-Reisen-Arena” të Duisburgut ishte më i fortë dhe i ekuilibruar. Wolves pati një mundësi të artë në minutën e 13-të. “Ujqit” fituan një penallti, por goditja e Raul Jimenez u prit nga portieri i ekipit andaluzian. Sevilla, një ekip ekspert në këtë kompeticion, duroi dhe goditi në fund.
Ever Banega krosoi nga e djathta dy minuta përpara fundit dhe argjentinasi tjetër, Lucas Ocampos, realizoi me kokë golin e kualifikimit. Një sukses fantastik për ekipin spanjoll që do të sfidojë Manchester United në duelin gjysmëfinal. /abcnews.al