Gara në Nations League vazhdon dhe kombëtarja kuqezi rikthehet në fushë nesër pas fitores 0-2 në Minsk kundër Bjellorusisë. Përballë do të kemi Lituaninë, ekip me të cilin jemi ndeshur katër herë më parë.
Balancë totale, me dy fitore të Shqipërisë dhe po kaq të Lituanisë. Dueli i parë zhvillohej në 3 qershorin e largët të vitit 1992 në “Qemal Stafa”. Luhej për eliminatorët e Botërorit USA 1994, në stolin e kombëtares ishte Bejkush Birçe, ndërsa Sulejman Demollari drejtonte shokët në fushë si kapiten.
Atë ndeshje e fituam 1-0, falë një eurogoli të Eduard Abazit. Ish-sulmuesi i njohur shqiptar, në atë kohë pjesë e Hajduk Split në Kroaci, realizoi golin e fitores në minutën e 77-të me anë të një roveshate fantastike. Një triumf që solli gëzim të madh te tifozët e pranishëm në stadium, të cilët shijuan në maksimum perlën e Abazit.
“E rëndësishme është që Shqipnia u ngjit në kuotën e dy pikëve (fitorja vlerësohej me dy pikë në ato vite), gjë që e dëshironte i gjithë ekipi. Golat e bukur janë gjithmonë me vlerë kur Shqipnia ecën përpara“, shprehej Abazi pas përfundimit të ndeshjes. /abcnews.al