Pavarësisht vështirësive, kritikave dhe një kohe të gjatë pa fituar, futbolli të jep gjithmonë mundësinë për t’u rikthyer te fitorja dhe për të harruar vuajtjet e përjetuara më parë. Kështu po ndodh te Tirana. Bardheblutë janë dominuar këto vite nga Partizani dhe nuk ju dhuronin një fitore tifozëve prej shkurtit të vitit 2014. Shumë kohë e gjatë, kur e mendon se dy ekipet e kryeqytetit janë përballur katër herë në sezon gjatë një viti.
Shumë trajnerë kanë tentuar të thyejnë tersin e kuq, por në fund ia doli dikush që nuk është i tillë. Emanuel Egbo motivoi ekipin, guxoi me zëvendësimet dhe tifozët e Tiranës nuk do e harrojnë kurrë. Njësoj si Cobbinah, ganezin që në bashkëpunim me talentin Muçi, shënoi golin që tifozët e Tiranës prisnin prej vitesh.
Festa e bardhebluve në fund të ndeshjes ishte e madhe. Lojtarë, stafi teknik dhe drejtues, të gjithë bashkë me tifozët, siç dallohet edhe në videon e mëposhtme, me këta të fundit që rikthehen të buzëqeshin dhe ndihen krenar. Mërzitje dhe trishtim në kampin tjetër. Një moment do merrte fund edhe pathyeshmëria e “Demave”, ndërsa drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama, u pa të debatonte me Enea Jorgjin në fund të ndeshjes.
Derbi dhuroi gjithçka, rekord tifozësh, pankarta me mesazhe fantastike dhe emocionuese, gola, shtylla dhe përplasje mes lojtarëve. Në fund feston vetëm njëra palë. Sonte janë ngjyrat bardheblu ato që ndriçojnë kryeqytetin, ndërsa e kuqja është gati për duelin e radhës, për të tentuar hakmarrjen e shpejtë. /abcnews.al