Sassuolo mposhti 4-2 Romën dhe siguroi fitoren e dytë radhazi në shtëpi. Ekipi i De Zerbit u tregua i pamëshirshëm në sulm dhe realizoi “poker” golash ndaj verdhekuqve. Fillimi i ndeshjes ishte i tmerrshëm për ekipin nga kryeqyteti.
Francesco Caputo shënoi dy herë pas aksioneve të bukura dhe Djuricic i dhuroi avantazhin e trefishtë ekipit vendas me golin e shënuar në minutën e 26-të. Vendasit në ekstazë dhe Roma në tapet. Pjesa e parë nuk dhuroi më gola, teksa Edin Dzeko rihapi shpresat e miqve në minutën e 55-të.
Gjiganti boshnjak shfrytëzoi një kros të Pellegrinit, fitoi duelin ajror me mbrojtjen e Sassuolos dhe dërgoi topin në rrjetë. Roma mbeti me 10 lojtarë në minutën e 69-të pas të dytës së verdhë të Pellegrinit. U duk sikur mori fund gjithçka, por dy minuta më vonë Jeremie Boga preku një top me dorë.
Penallti për ekipin e Fonsecas dhe Veretout nuk gaboi. Roma mori zemër, por afrikani i talentuar shmangu gabimin, realizoi një eurogol në minutën e 74-t dhe vulosi fitoren e Sassuolos. Ky sukses i ngjit vendasit në vend të 13-të me 26 pikë, ndërsa Roma mbetet e katërta me 39 pikë, pozicion që mund ta humbasë nëse Atalanta fiton ndeshjen e vet. /abcnews.al
Sassuolo-Roma 4-2
(Caputo 7′, 16′, Djuricic 26′, Boga74′ / Dzeko 55′, Veretout (pen) 72′)