Borussia Dortmund dhe Bayer Leverkusen kanë kaluar shumë shpejt në avantazh. Sancho ka zhbllokuar sfidën shtëpiake kundër Union Berlin në minutën e 13-të. Talenti anglez veproi bukur në krahun e majtë dhe goditi drejt portës.
Një mbrojtës mik devijoi topin që përfundoi në rrjetë. Goli i 12-ti në kampionat për Jadon Sancho, teksa pesë minuta më pas erdhi dyfishimi. Erling Haaland shënoi golin e radhës pas një pasimi të Brandt dhe festë në “Signal Iduna Park”.
“Aspirinat” po zhvillojnë një ndeshje të komplikuar jashtë fushe ndaj Hoffenheim, por e kanë gjetur shpejt golin. 20-vjeçari Moussa Diaby mori një asist nga Bellarabi në minutën e 11-të, kreu një driblim dehës brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë. Leverkusen po kalojnë një formë shumë të mirë, kanë fituar tre ndeshjet e fundit në kampionat dhe sapo kanë hedhur një hap drejt suksesit të radhës. /abcnews.al