VIDEO | Rockets i mjaftojnë “makineria” Harden-Westbrook

schedule10:59 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 10:59 - 24 Dhjetor, 2019

Houston Rockets arriti një fitore të vështirë në basketbollin amerikan, edhe pse kryesoi me 25 pikë diferencë në Sacramento. Shkëlqyen yjet kryesorë, James Harden dhe Russell Westbrook

Të dy së bashku kombinuan për 62 pikë dhe kjo bëri diferencën. Gjithsesi, për fitoren e Houston Rockets në NBA nuk patën meritë vetëm James Harden dhe Russell Westbrook, pasi u desh edhe mbrojtja e fortë në pjesën e katërt për të mbrojtur suksesin.

Skuadra nga Teksasi arriti një avantazh prej 25 pikësh në fushën e Sacramentos dhe gjithçka u duk e përfunduar, veçse vendasit menduan ndryshe. Për fat, fitorja u arrit me shifrat 113-104. Harden dhe Westbrook ishin të frymëzuar në pjesën më të madhe të kohës.

I pari shënoi 34 pikë, duke shtuar 5 topa në tabela, 5 asiste, 2 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje. Westbrook gjithashtu ishte shumë mirë, me 28 pikë, 7 topa në tabela e 6 asiste, por nuk duhet harruar as ndihma e qendrës Clint Capela me 15 pikë e 14 topa në tabela.

Është folur shumë për dyshen e madhe të Houston, që kur Westbrook u transferua nga Oklahoma City Thunder. Shpresat kanë qenë dhe mbeten të mëdha se mund të synohet titulli i parë që nga koha e Hakim Olaxhuonit në vitet 1994-1995.

Gjithsesi, duket se teksanët nuk janë ende gati. Jo më kot, ata mbeten në vend të tretë në Konferencën Perëndimore, me 21 fitore e 9 humbje. Ndërkohë ka pasur kritika për bashkëpunimin e dy yjeve kryesorë, Harden dhe Westbrook. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!