Roma nuk heq dorë kollaj nga objektivi i kualifikimit në Champions League dhe u rikthye te fitorja në kampionat pas katër javësh. Djemtë e Fonseca triumfuan 4-0 në shtëpi kundër Lecces dhe vazhdojnë ndjekjen e Atalantës së vendit të katërt.
Sfida u zhbllokua shumë shpejt. Mkhitaryan rrëmbeu një top dhe nisi Cengiz Under, me turkun që nuk gaboi përballë portierit mik. Armeni shënoi vetë golin e radhës tetë minuta përpara fundit të pjesës së parë, pas pasimit të marrë nga Dzeko.
Goli i boshnjakut nuk mund të mungonte dhe erdhi në minutën e 69-të. Dzeko devijoi në portën e Lecces pasin e Kolarov dhe gjeti golin e 12-të në Serie A për këtë sezon. Në fund pati momente festë edhe për Kolarov.
Mbrojtësi i majtë lëshoi një diagonale të fortë dhe portieri mik nxori për herë të katërt topin nga porta e tij. Kjo fitore e ngjit Romën në vend të pestë me 42 pikë, tre më pak se Atalanta që numëron një ndeshje më pak. /abcnews.al
Roma-Lecce 4-0
(Under 13′, Mkhitaryan 37′, Dzeko 69′, Kolarov 80′)