VIDEO | Rekord personal dhe fitore, Doncic udhëheq Dallas Mavericks

schedule13:14 / 18/01/2020

Luka Doncic vendosi një rekord të ri të karrierës në basketbollin amerikan. Ylli nga Sllovenia realizoi plot 8 kosha për tri pikë në fitoren e Dallas Mavericsk ndaj Portland Trail Blazers

Mbërritja e legjendës Jason Kidd le të presë. Jo gjithnjë mund të realizohet një “triple double”, por Luka Doncic pati më shumë arsye për të qenë i lumtur sesa i dëshpëruar pas ndeshjes së Dallas Mavericks ndaj Portland Trail Blazers.

Në një sfidë kundër një rivali të fortë, fenomeni nga Sllovenia vendosi një tjetër rekord personal, atë të koshave trepikësh të shënuar në një ndeshje të vetme në NBA. Doncic u tregua i saktë në 8 prej gjuajtjeve nga largësia, madje pati një përqindje të shkëlqyer saktësie, pasi e provoi 12 herë dhe gaboi vetëm 4.

Arsyeja tjetër e kënaqësisë për 20-vjeçarin ishte se ndeshja u fitua me shifrat 120-112 dhe se renditja e Dallas Mavericks në Konferencën Perëndimore u bë edhe më e mirë. Doncic shënoi plot 35 pikë në 34 minuta, ndërsa kapi 8 topa në tabela e shërbeu 7 asiste, aspak gjë e vogël.

Në krah të tij ishte Tim Hardaway Jr, i cili realizoi 29 pikë. Slloveni mbetet një nga shënuesit më të mirë të sezonit në NBA, i distancuar vetëm nga James Harden, është i treti në renditjen e asistevei dhe është në vend të tretë të renditjes për çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit.

Dallas Mavericks, ndërkaq, është në vend të 6-të në Perëndim me 27 fitore e 15 humbje, por pranë vendit të dytë që mbahet nga Denver Nuggets. /abcnews.al

schedule13:14 / 18/01/2020