Vijnë katër golat e parë të dueleve të mbrëmjes në Champions League. Manchester United-PSG është sfida më e fortë dhe goli i parë në “Old Trafford” ka ardhur shumë shpejt.
Minuta e shtatë dhe nënkampionët e PSG-së në avantazh. Aksion shumë i bukur i Kylian Mbappe dhe finalizim i Neymar, me brazilianin që i dhuron avantazhin e rëndësishëm ekipit të tij.
Për momentin, kreu i grupit H në Champions mbahet nga tre skuadra: United, Leipzig dhe PSG, të treja me nga 9 pikë. Gol edhe në Andaluzi, aty ku po përballen Sevilla me Chelsea.
Të dy ekipet kanë siguruar kualifikimin për në raundin e 1/16 dhe sot po ndeshen për vendin e parë në grupin E. Sfida është zhbllokuar në minutën e tetë dhe golin e ka gjetur Chelsea. Autori Oliver Giroud, i cili kreu një driblim të bukur dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Edhe Barcelona në avantazh. Katalanasit po luajnë në Hungari kundër Ferencvarosit. Myrto Uzuni e ka nisur si titullar takimin për ekipin vendas, ndërsa Barcelona gjeti golin pas çerek ore lojë.
Asist i Jordi Alba nga krahu i majtë dhe gol me finte i Antoine Griezmann, i cili po kalon një moment shumë të mirë këtë periudhë. Në minutën e 20-të erdhi edhe goli i Braithwaite dhe 0-2 për miqtë nga Spanja. /abcnews.al

