Policia e Tiranës ka arrestuar shtatë persona gjatë 24 orëvë të fundit, të cilët ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor pa licencë.
Aksioni u krye në zonën e njohur si “Dollari” pas Bankës së Shqipërisë dhe të arrestuarëve i janë kapur një sasi e madhe parash.
“Finalizohen dy operacione “Për goditjen e aktiviteteve të paligjshme në zonën pranë Bankës së Shqipërisë “. Procedohen penalisht 7 shtetas, për ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare. Sekuestrohen 21 milionë lekë, 23 300 euro dhe 9 500 dollarë”, bën me dije policia.
Njoftimi i plotë
Vijojnë pa ndërprerë operacionet policore kundër informalitetit.
Finalizohen dy operacione “Për goditjen e aktiviteteve të paligjshme në zonën pranë Bankës së Shqipërisë “.
Procedohen penalisht 7 shtetas, për ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare.
Sekuestrohen 21 milionë lekë, 23 300 euro dhe 9 500 dollarë.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të planit të masave “Për goditjen e aktiviteteve të Paligjshme në zonën pranë Bankës së Shqipërisë“, janë organizuar shërbime të herëpashershme, së bashku me shërbimet e Komisariatit Nr. 3 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponjat”.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme janë realizuar dy goditje të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke proceduar penalisht 7 shtetas, konkretisht: M. H, Sh. Sh, L. J, R. F, A. Z, A. M. dhe Y. M.
Këta shtetas, në mënyrë të kundërligjshme, në zonën përballë Bankës së Shqipërisë, ushtronin veprimtari financiare të këmbimit valutor pa licencë.
Gjatë dy operacioneve janë sekuestruar në total 21 milionë lekë, 23300 euro dhe 9500 dollarë.
Kontrollet e befasishme dhe operacionet policore, për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të çdo personi qe merret me aktivitet të kundërligjshëm, kryesisht në këmbimin valutor pa licencë ose jashtë objekteve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.