Video-përgjimi i Alizotit, sa i besueshëm është?

schedule21:17 - 10 Tetor, 2018

schedule 21:17 - 10 Tetor, 2018

Video-përgjimi i Alizotit i publikuar nga deputeti demokrat Ervin Salianji një ditë më parë në studion e Opinion, është diskutuar në studion e Byro Politike në një panel juristësh dhe gazetarësh. I pyetur nga gazetari Spartak Koka  se sa i besueshëm është ky përgjim, juristi Jordan Daci u shpreh se juridikisht nuk është provë.

“Juridikisht video përgjimi që nuk është i autorizuar nga gjykata nuk ka vlerë, por edhe nëse është i autorizuar, është indicie, por nuk është provë”.

Sipas juristit Daci përveç përgjimit parandalues nga gjykata dhe prokuroria, të gjitha përgjimet e tjera janë të dënueshme.

“Kemi dy lloj përgjime që është parandalues dhe nuk përbën prove dhe përgjime nga gjykata e Prokuroria. Të gjitha përgjimet e tjera janë të dënueshme, por nuk mund të merret provë”.

Ndërkaq juristi Shefqet Muçi theksoi se tani që çështja u lëkund, masa e sigurisë ndaj Alizotit mund të ndryshojë.

“Tani që çështja u lëkund masa e sigurisë së tij mund të ndryshojë. Video-përgjimi i djeshëm ka të njëjtën vlerë, sikurse audio përgjimi parë, por rëndësi ka ajo se çfarë përmban”.

Ndërsa gazetari Armand Bajrami shpjegoi se  video-regjistrimi i mbrëmshëm as nuk e pohon dhe as nuk e rrëzon akuzën, por angazhon prokurorinë, që pas sekuestrimit do jetë marrja në pyetje e Alizotit për sqarimin e situatës.

“Pas sekuestrimit do jetë marrja në pyetje e Alizotit për sqarimin e situatës.  Kemi një video të titruar më dëgjim jo të saktë dhe  me zë të fshirë, që më krijon bindjen se ndërsa video e mëparshme është e dyshimtë s’mund ta zhvlerësojmë më një tjetër të dyshimtë.  Është një bisedë e nxjerrë nga konteksti. Nuk e dimë kush është personi tjetër që flet. Nuk e dimë në ç’ kushte është bërë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!