Partizani plotëson “hartën” e ekipeve gjysmfinaliste të Kupës së Shqipërisë. “Demat” i bashkohen Laccit, Teutës dhe Vllaznisë në këtë raund, pasi ia dolën të mposhtin me rezultatin minimal 1-0 Dinamon, që humb një “tren” për Europën, edhe pas zëvendësimit të Shkëmbit me Devollin.
Minutat e parë të ndeshjes ishin më të mirë për Partizanin, që u mundua të shënonte me Carën dhe Malën. Ky i fundit kishte një mundësi të mirë, por me kokë e çoi topin ngjitur me shtyllën pingule.
Dinamo u kundërpërgjigj me një gjuajtje të lehtë të Dennison, që nuk e vuri në vështirësi portierin Alban Hoxha. “Demat” festuan një minuta para fundit të pjesës së parë, kur Skuka shmangu katër mbrojtës dhe më pas mposhti edhe portierin Harizaj (SHIKO VIDEON).
Dinamo në pjesën e dytë bëri çmos që të barazonte dhe iu afrua golit me anë të kapitenit Agim Ibraimi. Numrin 10 të bluve në njërin rast e ndali portieri Alban Hoxha, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi.
Partizani në minutën e 61-të mund t’i kishte mbyllur llogaritë, por Skuka vendosi të mos shërbente për Junior dhe e çoi topin jashtë. Braziliani nuk e priti mirë veprimin e sulmuesit të afruar në janar.
Dinamo pretendoi për një penallti, për një ndërhyrje ndaj Reginaldo, kurse Denisson në dy momente vuri në provë portierin e Partizanit, pa mundur ta ndëshkoi dot. Përpjekjet e bluve ishin të pamjaftueshme dhe në fund Partizani festoi kualifikimin.