Në një demonstrim të paprecedentë fuqie ushtarake dhe aleancash politike, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, udhëhoqi të mërkurën një paradë madhështore në Pekin, për të shënuar 80-vjetorin e kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Ngjarja, e ndjekur nga mbi 50 mijë spektatorë dhe miliona qytetarë përmes transmetimeve televizive, u shndërrua në një shfaqje të madhe simbolike ku spikati prania e dy liderëve më të kontestuar nga Perëndimi: presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Presidenti Kinez Xi Jinping, duke iu drejtuar turmës së qytetarëve dhe liderëve ndërkombëtar që ndoqën paradën paralajmëroi se sot njerëzimi përballet me zgjedhjen mes paqes dhe luftës, mes dialogut dhe përplasjes, mes bashkëpunimit ku të gjithë fitojnë dhe politikës me Shumen zero”. Ai theksoi se populli kinez qëndron “në anën e duhur të historisë” dhe e lidhi Luftën e Dytë Botërore me “ringjalljen e madhe të kombit kinez”, një ide që përshkon vizionin e tij për Kinën si superfuqi globale.
Në paradën 70-minutëshe u shfaqën teknologjitë më të fundit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore: raketa hipersonike, dronë nëndetarë, mjete të blinduara të gjeneratës së re dhe një “ujk robotik” i armatosur. Avionë luftarakë dhe helikopterë kryen fluturime në formacione spektakolare, ndërsa qielli u mbush me pankarta gjigante dhe përfundimisht me lëshimin e 80 mijë zogjve të bardhë si simbol i paqes.
Xi, i veshur me një xhaketë në stilin e Mao Ce Dunit, kaloi trupat në një limuzinë të hapur, përshëndeti mbi 25 liderë të huaj të pranishëm dhe më pas u ul në tribunë, midis Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit. Ky ishte momenti që tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit botëror, pasi shënoi herën e parë që tre liderët shfaqen publikisht së bashku në një event ndërkombëtar.Në mesin e liderëve të ftuar ndërkombëtar ishin edhe Presidenti Serb Aleksandër Vucic.
Pas paradës, Putin zhvilloi një takim me Kim Jong Un në “State Guesthouse” të Pekinit, ku e falënderoi atë për mbështetjen që Koreja e Veriut ka ofruar ndaj Rusisë në luftën në Ukrainë. Nga ana e tij, Kim deklaroi se është i gatshëm të bëjë “çdo gjë që mundet” për ta ndihmuar Moskën. Analistët theksojnë se ky ishte një sinjal i qartë për afrimin e mëtejshëm mes Moskës dhe Phenianit, pas marrëveshjes së mbrojtjes të firmosur mes dy vendeve në qershor 2024.
China unveils advanced drones in V-Day military parade. #VDayParade https://t.co/zVq8FjmmkL pic.twitter.com/VOi3Jvb62x
— China Daily (@ChinaDaily) September 3, 2025
Pekini, ndërkohë, ka nënshkruar një pakt të ngjashëm me Korenë e Veriut, gjë që mund të sjellë ndryshime të thella në balancën e sigurisë në Azi-Paqësor. Në këtë kuadër, ceremonia u pa edhe si një mesazh i fortë ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj, të cilët akuzohen nga Pekini për “hegjemoni dhe politikë fuqie”.
Gjatë vizitës në Kinë, Putin gjithashtu finalizoi marrëveshje të reja energjetike me Pekinin, duke e bërë ekonominë kineze një partner edhe më të rëndësishëm për Rusinë në kohën kur Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj saj.
Parada nuk u ndoq nga liderët kryesorë të Perëndimit, të cilët e bojkotuan ate për shkak të politikave agresive të Pekinit dhe afërsisë së tij me Moskën dhe Phenianin.
Në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump reagoi në mënyrë ironike përmes platformës “Truth Social”, duke shkruar: “Ju lutem përcillni përshëndetjet e mia të ngrohta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong Unin, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.” Kremlini, nga ana e tij, u përgjigj duke thënë se Putin nuk po komplotonte kundër askujt dhe se deklarata e Trump ishte thjesht ironike. Në fjalën e tij përmbyllëse në një pritje zyrtare në “Great Hall of the People”, Xi Jinping tha se njerëzimi nuk duhet të lejojë kthimin te “ligji i xhunglës”.
Ai shpalli ringjalljen e kombit kinez si “të pandalshme” dhe vendosi Kinën në qendër të një rendi të ri botëror, të cilin e sheh si alternativë ndaj dominimit amerikan. Prania krah për krah e Xi, Putinit dhe Kim Jong Unit, në një paradë të tillë madhështore, sinjalizoi jo vetëm një shfaqje të fuqisë ushtarake, por edhe një mesazh të qartë për rivalët ndërkombëtarë: Pekini, Moska dhe Pheniani po afrohen më shumë se kurrë, duke kerkuar te hapur një kapitull të ri në balancën e fuqise globale.

