Kur ka kaluar 1 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria ende nuk ka nisur rindërtimin e banesave të shembura. Kryeministri ka premtuar se programi i rindërtimit do të nisë në shkurt, pas zhvillimit të konferencës së donatorëve. Ndërkohë që shumë banorë në zonat e prekura ankohen se prej 30 ditësh jetojnë në kushte të vështira në çadra dhe me banesa të pavlerësuara nga ekspertët.
Mëngjesin e 26 nëntorit termeti tronditi Shqipërinë, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Dhjetëra ndërtesa u rrafshuan duke lënë pas 51 viktima dhe mijëra objekte të dëmtuara rëndë. E papërgatitur për një fenomen të tillë natyror qeveria u angazhua në një kohë të shpejtë në aksionet e kërkim-shpëtimit dhe më pas në menaxhimin e emergjencës humanitare. Me mbledhje të përditshme qeverie dhe me krijimin e komitetit për rindërtimit, kryeministri Rama caktoi edhe detyrat për kabinetin e tij dhe donarët që do të bëjnë ndërtimin e banesave. Por sot shënohet 1 muaj nga termeti dhe ende nuk ka një raport përfundimtar për dëmet dhe ende nuk ka nisur rindërtimi i banesave private, të cilat sipas planit fillestar të qeverisë do të ndërtoheshin të parat.
Raportimet e ABC NEWS por edhe denoncimet e opozitës tregojnë se kur muaji ka kaluar, banorët ende vijojnë të jetojnë në çadra ndërkohë që objektet e tyre ende s’janë vlerësuar nga ekspertët.
Kryeministri ka premtuar se në fund të janarit do të ketë një raport përfundimtar të dëmeve, ndërkohë që rindërtimi nuk do të nisë pa u zhvilluar më parë konferenca e donatorëve e cila pritet të mbahet në fillim të shkurtit.
Qeveria ka përcaktuar mënyrën se si do të bëhet rimëkëmbja në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Përmes një akti normativ, ajo ka bërë kategorizimin e personave që përfitojnë nga fondi i rindërtimit dhe subjekteve që nuk do të marrin shpërblim pavarësisht dëmeve që kanë pasur.
Akti normativ përcakton mënyrën se si do të ndërtohen pallatet dhe banesat private të cilat u shpallën të pabanueshme dhe i hap rrugë blerjes së apartamenteve të pashitura në pallatet ekzistuese nëse kërkesa nga qytetarët do të jetë e larte.
Qeveria nuk ka ende një numër përfundimtar të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, por ka pëcaktuar përmes një akti normativ rrugën që do të ndjekë për t’ë rimëkëmbur zonat e prekura nga termeti.
Kur ka kaluar 1 muaj nga fatkeqesia natyrore, i vetmi ndryshim i rëndësishëm që qeveria ka ndërmarrë është emërimi i një ministri për Rindërtimin ndërkohë që për dhjetra banorë jetesa vazhdon në çadra. /abcnews.al